Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Operatori për furnizim me energji elektrike në Kosovë (KESCO) kanë thënë përmes një komunikate se situata e fundit e krijuar pas përhapjes së koronavirusit është duke e rrezikuar edhe funksionalitetin e këtyre trupave, pasi kanë rënë në minimum pagesat e energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e shpenzimeve.
“Energjia elektrike është jetike në këto kohë të vështira që po kalon vendi dhe në përballimin e kësaj situate involvimi i të gjithë akterëve është i domosdoshëm. Në presim zgjidhje dhe mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës, pasi situata e pagesave është rënduar së tepërmi pas tendencës për shtyerje të pagesave në bazë të deklarimeve publike të bëra po nga qeveria”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Qeverisë së Kosovës deri më tash i është bërë kërkesë nga disa shoqata ekonomike që pagesat e ujit, energjisë, ngrohjes dhe mbeturinave të shtyhen deri më 30 prill.
Megjithatë ekzekutivi nuk e ka përfshirë një gjë të tillë, në kuadër të masave që ka marrë për luftimin e përhapjes së koronavirusit.
Deri më tani në Kosovë është raportuar për 33 persona të infektuar me koronavirus, si dhe për një të vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Për lajmet e fundit rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.