Më 23 mars fillon mësimi në distancë në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Hykmete Bajrami ka konfirmuar se që nga 23 marsi në Kosovë do të fillojë mësimi në distancë.

“Fillimisht do të kemi mësim në gjuhën shqipe dhe matematikë për klasat e para deri në të pesta. Mësimi do të transmetohet në RTK1 dhe RTK4”, ka thënë Bajrami duke thënë se mësimet do të jenë të disponueshme edhe në dy platforma në internet për të cilat është duke u punuar.

Ditët në vazhdim do të prodhojmë materiale për klasat 6-9 e më vonë do të vazhdojmë edhe më gjimnaze dhe shkolla profesionale.

Më 11 mars, Qeveria e Kosovës ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me koronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.

Deri më tash janë 31 persona të prekur, ndërsa një pacient ka humbur jetën.