Mustafa mbështet masat e jashtëzakonshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se në kohën kur Kosova po përballet me rritjen e rasteve të pandemisë COVID-19 duhet të konsiderohet edhe aplikimi i masave të jashtëzakonshme, ashtu siç kanë bërë edhe vendet fqinje.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, theksoi se ideja e tij për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme ishte hedhur poshtë për shkak të matjes së fuqisë mes presidentit dhe kryeministrit të Kosovës.

Ai tha se nuk është koha që të tregohet fuqi politike, por që të punohet bashkë në luftën kundër përhapjes më të madhe të koronavirusit.

“Do të isha i lumtur në qoftëse i kemi aktivizuar të gjitha potencialet dhe nëse kemi siguruar disiplinë karshi rrezikut që po na kanoset.
Çështja u trajtua me konspiracion nga Kryeministri.
Problemi i tij dhe i papagajëve që e rrethojnë u thjeshtëzua se kush duhet të jetë më i fuqishem, ai apo Presidenti, por jo se si te mbyllet cikli i të gjitha masave. Bile u tentua nga të krisurit e oborrit qeveritar që kjo të cilësohet si tentim për grushtshtet”, tha ai.

Mustafa, në postimin e tij, theksoi se këto veprime të partnerit të koalicionit, Lëvizjes Vetëvvendosje, e kanë shtyrë ta gjykojë mbështetjen që kishte pasur për formimin e këtij koalicioni.

“Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, thuhet në postimin e tij.

Të dielën, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka kërkuar që institucionet të qëndrojnë të gatshme në rast se shfaqet nevoja për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Këto deklarata vijnë pasi në Kosovë u shënua viktima e parë nga koronavirusi.