Trump: Do ta mundim armikun e padukshëm

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Duke e përshkruar veten si “president të kohës së luftës”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të arrijë fitore të plotë kundër koronavirusit.

“Duhet të sakrifikojmë së bashku, sepse të gjithë jemi bashkë në këtë situatë dhe do t’ia dalim bashkë. Është një armik i padukshëm, por ne do ta mposhtim atë”, tha Trump në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë.

“Mendoj se do ta mposhtim edhe më shpejt seç kemi menduar dhe do të jetë një fitore e plotë”, tha ai.

Trump, fillimisht, tha se do të nënshkruajë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes të vitit 1950, i cili i jep autoritet presidentit t’i drejtojë bizneset civile për të ndihmuar në përmbushjen e urdhrave.

Por, më vonë, në një postim në Twitter ai tha se do ta ndërmarrë këtë hap "në rast të një skenari më të keq në të ardhmen".

Shtetet e Bashkuara kanë mbi 9,300 njerëz të infektuar me koronavirusin që shkakton sëmundjen COVID-19. Deri më tash, 150 pacientë atje kanë humbur jetën.

Në aspektin global janë mbi 220,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe mbi 8,800 njerëz të vdekur.