Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se është vetizoluar, pasi ditë më parë ka qenë në një ambient ku ndodhej edhe një person, që më pas ka rezultuar pozitiv në testet për koronavirus.
“Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë, nga mbrëmja, jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokollit shëndetësor”, ka thënë Haziri.
“Po ashtu u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’iu nënshtrohen testeve dhe vetizolimit”, ka thënë Haziri, për të shtuar se detyrën e tij do ta ushtrojë nënkryetari i Komunës së Gjilanit.
Në Kosovë, deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.
- Për lajmet e reja rreth koronavirusit përcilleni edhe blogun e drejtpërdrejtë të Radios Evropa e Lirë.