Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të propozojë në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i cili mbajti një takim në orët e mbrëmjes më 17 mars.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, do t’I propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin maksimal të FSK-së në gjithë Kosovën. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë së përhapjes së koronavirusit”, tha presidenti.
Thaçi para mediave tha se “Kosova nuk është vend i izoluar, por është e përfshirë nga koronavirusi i cili po praqet shqetësim për gjithë botën dhe po ashtu po paraqet shqetësime dhe për Kosovën pas rasteve të fundit".
Presidenti tha se këtë situatë mund ta tejkalojmë duke u angazhuar të gjithë.
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të mërkurën për të votuar dekretin e presidentit.
Çfarë thotë Kushtetuta për gjendjen e jashtëzakonshme?
Kushtetuta e Kosovës, përcakton se “nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 131 me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti i vendit shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë.
“Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”, thuhet në Kushtetutë.
Akti më i lartë juridik i vendit thotë se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.
Sa i përket kohëzgjatjes, Kushtetuta përcakton se gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh.
“Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej”, thuhet në paragafin 5 të nenit 131 të Kushtetutës.
Por, paragrafi 6 i po të njejtit nen, thotë se “kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit”.
Situata me koronavirusin
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirusin e ri.
Shumë shtete në botë kanë vendosur të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus.
Kjo bëhet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e tij. Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.
Në muajt vijues, pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 195,935raste me koronaviusin e ri. Mbi 80,840 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,866 persona.