BE-ja do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në luftimin e koronavirusit

Komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, gjatë një bisede me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shprehu gatishmërinë e institucioneve evropiane për të mbështetur rajonin në trajtimin e koronavirusit.

Iniciativa e një video-konference të krerëve të qeverive të rajonit me komisionerin Varhelyi, ishte e kancelarit austriak, Sebastian Kurz.

Gjatë bisedimeve, komisioneri evropian njoftoi se Komisioni Evropian po analizonte se si të lidhte rajonin me masat e marra nga BE-ja për të luftuar virusin Sars-Cov-19.

"Ne po shqyrtojmë mundësitë se si të ndihmojmë rajonin në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të pandemisë, duke përfshirë shikimin e mundësive për të riorientuar financimet përmes IPA dhe për të treguar fleksibilitet në rregullat e ndihmës shtetërore", tha komisioneri Varhelyi në llogarinë e tij në Twitter.

IPA është instrumenti i paraanëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja, IPA 2018, e nënshkruar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian konsiderohet se Kosovës i siguron rreth 90 milionë euro për projekte të ndryshme.

Këto fonde përdoren në reformat për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, ambient, energji, edukim dhe punësim.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, dhe tha se tani është me rëndësi të madhe të miratohet hapja e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Mbrëmë, BE-ja konfirmoi se po shqyrtonte mënyrat për të ndihmuar vendet në rajon të luftojnë kundër përhapjes së koronavirusit të ri.