Lëvizje të pakta në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kufiri i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut të hënën nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka theksuar se pacientja e parë e prekur nga koronavirusi u lëshua për kurim shtëpiak, por po testohen 7 pacientë nën dyshimin se janë prekur nga koronavirusi.

Në Maqedoninë e Veriut me koronavirus u infektuan 18 qytetarë.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi u bëjnë thirje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet dhe të mos dalin jashtë shtëpisë pa nevojë, ndërkohë që në fuqi është ndalesa për punën e kafeneve, bareve dhe qendrave të mbyllura tregtare, përveç barnatoreve dhe dyqaneve ushqimore.

SHIKONI EDHE: Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut drejt shtyrjes

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre të cilët do të vijnë në Maqedoninë e Veriut nga vendet me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit seriozisht t’i respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet e organeve kompetente, të jenë në nivel të përgjegjësisë personale dhe të vetëizolohen për 14 ditë.

“Në pesë kalimet kufitare që kanë mbetur të hapura (Bllaca me Kosovën, Qafthana me Shqiprinë, Tabanovci me Serbinë, Deve Bair me Bullgarinë dhe Pogorodica me Greqinë) nënshkruhen deklarata nga ana e qytetarëve që do të mbeten në vetizolim".

"Prandaj u bëj apel atyre dhe familjeve të tyre ta respektojnë këtë. Secili që duhet të jetë në vetëizolim duhet ta bëjë atë. Kemi nëpunës policorë të cilët i përcjellin veprimet e qytetarëve të tillë dhe janë paraparë sanksionet më të rrepta për të gjithë ata që nuk mbeten në vetëizolim pasi të kthehen këtu,” ka theksuar kryeministri i Maqedonisë.

Shkupi në ditët e koronavirusit

Në pikën kufitare të Bllacës që lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën vërehen lëvizje të pakta.

Mustafa Bexheti nga Tetova, pasi ka mësuar se autoritetet maqedonase kanë mbyllur pikën kufitare të Jazhincës me Kosovën është nisur në Bllacë, por pasi është lëshuar në pikën kufitare të Bllacës në pjesën e Maqedonisë së Veriut, ai është kthyer nga autoritetet kosovare në këtë pikë kufitare.

Bexheti thotë se nuk ka qenë në dijeni se Kosova ka mbyllur kufirin për shtetasit e huaj.

“Doja të shkoja deri në Ferizaj kisha punë. Më lëshuan në anën maqedonase, por më kthyen kosovarët. S'më lan të hyj në Kosovë. Më thanë se arsyeja është koronavirusi”, tha Bexheti.

Por, në Maqedoninë e Veriut lejohet të hyjnë qytetarët e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Efektet e koronavirusit në ekonominë e Maqedonisë së Veriut

Fadil Rukovci nga Prishtina, bashk me të shoqen kaluan kufirin e Bllacës pa problem për tu vizituar te mjeku në terminin e caktuar paraprakisht në një nga spitalet e Shkupit.

"Ua treguam arsyen (pse duhet të vijmë në Shkup) dhe kaq. Brenda ditës kthehemi sërish në Kosovë, për dy ose tre orë”, tha Rukovci.

Edhe Bashkim Karakushi, i cili bashkë me familjen nga Kosova ka hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut përmes pikës kufitare të Bllacës, për Radion Evropa e Lirë tha se po shkon në vizitë tek familjarët në Shkup.

“Po vijmë prej Prishtinës në Maqedoninë e Veriut. Kemi familjarë në Shkup. Në pikën kufitare treguam se po shkojmë tek familjarët tonë dhe s'kishte problem”, tha ai.

Autoritetet e vendit kanë njoftuar se gjendja është stabile në Dibër dhe Zhupë, dy rajone këto në perëndim të vendit të cilat janë izoluar tërësisht pasi pikërisht nga këto dy vende edhe është numri më i madh i të infektuarve me c'rast qeveria për këtë rajon nga e premtja ka shpallur gjendje emergjente.