Në shqipëri ka arritur në 51 numri i personave të prekur me virusin COVID-19.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendësministrja shqiptare, Mira Rakacolli u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.
“Në 24 orët e fundit janë testuar gjithsej 31 raste personash të dyshuar të cilët janë qytetarë dhe personel shëndetësor. Nga këta janë konfirmuar pozitivë 9 raste”, bëri të ditur Rakacolli.
Zëvendësministrja bëri të ditur se deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste.
Nga rastet e konfirmuara positive, në kryeqytetin e Tiranës janë 34 raste, Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë), Lushnje 2 raste, Elbasan 2 raste, Fier 6 raste dhe në Rrogozhinë 2 raste.
Sipas Rakacollit, 20 persona janë të shtruar në Spitalin Infektiv, ku tre prej tyre janë në terapi intenzive, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.
“Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, tha Rakacolli.