Qyteti i Klinës ka hyrë në ditën e tretë të karantinës, që nga koha kur është shënuar rasti i parë i infektimit me koronavirus.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se institucionet lokale në këtë qytet kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse.
“Kemi sasi shumë të vogla të maskave dhe pajisjeve të tjera, për ndoshta edhe dy tri ditë. Jemi të obliguar që t’i ruajmë, t’i përdorim edhe dy apo tri herë”, tha Elezaj.
Vendosja në karantinë e të gjithë qytetit, sipas kryetarit Elezaj, ka shtuar shqetësimin te qytetarët sa i takon furnizimit me barna dhe medikamente të tjera të nevojshme.
Elezaj tha se brenda javës mund të shpenzohen edhe medikamentet e listës esenciale dhe se aktualisht kjo komunë nuk do të mund të ndihmojë në sigurimin e tyre.
Pos kësaj, Elezaj tha se karantinimi i qytetit ka ngritur shqetësimin e qytetarëve sa i takon furnizimit me ushqime.
Ai tha se ka pranuar shqetësime dhe kërkesa të shumta sidomos nga qytetarët që janë me asistencë sociale.
“Nuk kemi mundësi t’i ndihmojmë. Kanë vetëm ndihmën financiare mujore që kategoritë sociale e marrin nga qeveria. Tjetër formë të ndihmës nuk kemi”, tha Elezaj.
Klina deri më tani ka vetëm një rast të identifikuar me koronavirus.
Bëhet fjalë për një qytetare italiane që është paraqitur si vullnetare në një mision bamirës në Kosovë.