Hoti: Taksa të hiqet sot, plotësisht

Avdullah Hoti, foto nga arkivi.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti thotë se taska 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Sipas Hotit, që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk duhet të bëhen “taktizime politike me partneritetin tonë me SHBA-në”.

“Vëmendja e jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, e jo në lojëra politike që qojnë në DISTANCIM të SHBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se ende nuk e ka bindur partneren e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të heqë taksën gradualisht dhe ta zëvendësojë me reciprocitet.

Plani i Kurtit për heqjen e taksës, që u prezantua në fund të muajit shkurt, për heqjen e pjesshme të taksës, po kundërshtohet nga LDK-ja.

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar idenë e Kurtit për taksën, teksa i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka thënë se Kosova bën “gabim serioz” nëse nuk heq taksën pa kushte.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 pati vendosur taksë 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hervegovina. Që atëherë dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë, pasi Serbia po refuzon që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.