Me 57 vota për dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë të propozuar nga dy partitë e koalicionit, lidhur me dialogun me Serbinë, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin që të udhëheqë bisedimet politike me Beogradin.
Rezoluta e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, u votua në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit të thirrur për buxhetin, pa praninë e opozitës.
“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës të miratuar, të cilën e lexoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
"Në përputhje me aktgjykimin e Gjyktës Kushtetuese, është Qeveria e Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedime dose dialogun me Serbinë dhe të bëjë përgatitjet përgatitje për negociata, e të negociojë lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare e cila do të përfundojë me njohje reciproke me Republikën e Serbisë”, thuhet në rezolutën e kuvendit.
Kjo rezolutë, fillimisht ishte prezantuar para deputetëve në një seancë tjetër të jashtëzakonshme, të mbajtur më 11 mars, por në atë mbledhje nuk ishte hedhur fare në votim për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga opozita.
Dialogu me Serbinë, që ka nisur më 2011, është ndërprerë në fund të vitit 2018 pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Beogradi po kushtëzon kthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e taksës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë bërë thirrje Prishtinës zyrtare që të heqë taksën dhe t’i hapë rrugë rinisjes së dialogut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 27 shkurt propozoi një plan për heqjen e taksës hap pas hapi, por ky plan u kundërshtua fuqishëm nga SHBA-ja.