ASHAK bën thirrje për tejkalim të mosmarrëveshjeve politike në Kosovë

Ilustrim.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka bërë thirrje për tejkalim të mosmarrëveshjeve mes zyrtarëve politikë në Kosovë, duke thënë se ata “nuk kanë asnjë të drejtë, as mandat të nëpërkëmbin shtetin e Kosovës, as të cenojnë interesat e tij".

Përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të Akademisë, ky institucion e ka konsideruar të papranueshme vendosjen e interesave partiake mbi interesat shtetërore të Kosovës.

“Ne nuk mund ta pranojmë që Kosova të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar, sikundër që nuk mund ta pranojmë që në betejën e brendshme politike ndërmjet presidentit dhe qeverisë të përdorën miqtë tanë tradicionalë dhe të pazëvendësueshëm”, ka thënë ky insititucion.

Thaçi për Kurtin: Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës

Akademia ka thënë po ashtu se periudha e vështirë e tranzicionit në Kosovës ka qenë proces i ditur, por jo edhe veprimet e klasës politike, të cilës pjesëtarët e akademisë i janë drejtuar me tone të ashpra.

“Pakkush ka besuar se klasa jonë politike me një lehtësi kaq të madhe do të shkel të gjitha parimet, do të kthejë përmbys çdo ideal dhe, për interesa meskine, do të jetë në gjendje që, herë pas here dhe gjithnjë e më shpesh, të vërë në dyshim të gjitha arritjet e Kosovës, duke e çuar atë në zgrip të ekzistencës, krejt afër zhbërjes. Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha”, është thënë në deklaratë.

Mes tjerash, aty është thënë edhe se prej mbajtjes së zgjedhjeve të fundit në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar, qytetarët e këtij shteti përballen me një një torturë të paparë të retorikave nxitëse dhe lënduese.

Përveç thirrjeve ndaj autoriteteve për tejkalim të mospajtimeve, ASHAK, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare “të ketë mirëkuptim për mangësitë, mungesat dhe dështimet e klasës” politike të Kosovës.

Deklarata e këtij insitutcioni ka ardhur pak pas paralajmërimeve të senatorëve amerikanë që nëse autoritetet në Kosovë nuk heqin taksën ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës, dhe nuk janë plotësisht të përkushtuara për paqe, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë prezencën ushtarake në këtë shtet.

SHIKONI EDHE: Largim i taksës apo trupave amerikane?

Duke komentuar këto deklarata të senatorëve amerikanë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk beson se do të ndodhë tërheqja e trupave amerikane nga Kosova.

Megjithatë, sipas tij, edhe nëse trupat amerikane tërhiqen nga Kosova, ky vendim nuk ka të bëjë me tarifën 100 për qind.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në anën tjetër ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të mblidhet për të marrë vendime në përputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovarët kanë frikë nga largimi i trupave amerikane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tarifa 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018, nga qeveria e kaluar.

Që nga ajo kohë është pezulluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.