Thaçi për Kurtin: Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u është përgjigjur pretendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ka arritur marrëveshje të fshehtë me Serbinë, duke thënë se kryeministri po “vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet”.

Presidenti Thaçi, e ka cilësuar Kurtin si “frikacak dhe djallëzor”, i cili, sipas tij nuk po ka guxim që as ta heqë tarifën e as ta vendosë reciprocitetin.

“Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike. Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Thaçi u është referuar deklaratave që ka bërë Kurti të mërkurën në një seancë të jashtëzakonshme që është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut, kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme, midis dy presidentëve. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si kryeministër, në mënyrë që të marrë fuqi ai, që në emër të Kosovës në negociata sekrete, ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servojë, jo për të filluar dialog, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog", ka thënë mes tjerash Kurti.

SHIKONI EDHE: Kurti: Thaçi e Vuçiq kanë një marrëveshje të gatshme

Seanca e së mërkurës, që është zhvilluar me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, pasoi një postim të Donald Trump Junior, djalit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”.

Kryeministri Kurti më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Largim i taksës apo trupave amerikane?