Trupat amerikane "kanë nisur të largohen" nga Afganistani

Ilustrim.

Një zyrtar amerikan ka thënë se forcat e Shteteve të Bashkuara kanë nisur të largohen nga Afganistani, siç parashihet me marrëveshjen e fundit të nënshkruar mes SHBA-së dhe talibanëve.

Ky zyrtar, që ka folur në kushte anonimiteti, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Associated Press më 9 mars, se qindra ushtarë amerikanë tani janë duke u larguar nga Afganistani.

Kjo nënkupton që Shtetet e Bashkuara do të nisin të zvogëlojnë praninë e tyre në Afganistan duke lënë 8,600 nga 13,000 trupa sa kanë tani.

Plani afatgjatë për SHBA-në është që të tërheqë të gjithë trupat nga Afganistani brenda 14 muajve, nëse zbatohen të gjitha kushtet e sigurisë.

SHIKONI EDHE: E ardhme e paqartë për Afganistanin

Mirëpo një mosmarrëveshje politike në mes të zyrtarëve afganë lidhur me zgjedhjet presidenciale rrezikon të komplikojë tentimet e Uashingtonit për të zbatuar marrëveshjen me talibanët, në mënyrë që të përfundojë lufta 18-vjeçare e Afganistanit.

Rivalët politikë në Afganistan, presidenti Ashraf Ghani dhe presidenti i vetëshpallur, Abdullah Abdullah, kanë zhvilluar ceremonitë e inaugurimit për president në kohën e njëjtë të hënën në Kabul.

Ghani betohet si president afgan, rivali i tij mban ceremoni paralele

Krijimi i qeverive paralele afgane kërcënon dëmtimin e hapave të ardhshëm që parasheh marrëveshja për paqe.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Nga ajo kohë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.

Trump: Talibanët mund të kthehen në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së