Trump: Talibanët mund të kthehen në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se talibanët “mund” të përmbysin qeverinë e përkrahur nga perëndimi në Kabul, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

Trump ka folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 6 mars, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje me talibanët, me qëllim të dhënies fund të luftës 18-vjeçare në Afganistan.

I pyetur nëse një tërheqje eventuale amerikane nga Afganistani mund të rezultojë me përmbysje të qeverisë aktuale nga talibanët, presidenti ka thënë se “kjo nuk duhet të ndodhë mirëpo mund të ndodhë”.

“Fundja, shtetet duhet të kujdesen për veten e tyre. Ne nuk mund të qëndrojmë aty për 20 vjet tjera”, ka shtuar mes tjerash Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar më 29 shkurt, një marrëveshje në Doha, që lejon forcat perëndimore të largohen nga ky shtet brenda 14 muajve, në këmbim të zbatimit të përkushtimeve nga talibanët, përfshirë edhe negociatat e këtyre të fundit me Qeverinë afgane.

SHIKONI EDHE: E ardhme e paqartë për Afganistanin

Megjithatë, presidenti afgan, Ashraf Ghani ka paralajmëruar se ai nuk është i gatshëm për të zbatuar një pikë të marrëveshjes, që parasheh lirimin e 5,000 talibanëve të burgosur.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Nga ajo kohë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.