Lojërat Olimpike në Japoni do të organizohen, pavarësisht koronavirusit

Stadium në Japoni

Japonia është e përkushtuar të organizojë Lojërat Olimpike Verore, në fund të korrikut, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga përhapja e koronavirusit të ri në këtë vend, thotë ministrja e Lojërave Olimpike, Seiko Hashimoto.

"Anulimi ose vonesa e Lojërave do të ishte e papranueshme për atletët", tha Hashimoto.

"Një mjedis ku sportistët mund të ndjehen të qetë dhe të përqëndruar, duhet të përgatiten me vendosmëri", shtoi ajo.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, gjithashtu hodhi poshtë spekulimet në lidhje me anulimin ose shtyrjen e Lojërave Verore në Tokio për shkak të përhapjes së virusit SARS-CoV-2.

Ai shtoi se një skenar i tillë nuk u diskutua në takimet ekzekutive të kësaj jave të IOC.

Sipas tij IOC nuk "spekulon mbi zhvillimet e ardhshme" dhe do të ndjek këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Bordi ekzekutiv i IOC në 3 Mars "shprehu angazhimin e tij të plotë për suksesin e Lojërave Olimpike Tokio 2020, që do të zhvillohen nga 24 korriku deri më 9 gusht 2020."

Në Japoni janë mbi 1,000 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri.

Dymbëdhjetë njerëz kanë vdekur nga sëmundja në këtë vend.

Në nivel botëror, mbi 90,000 njerëz janë të infektuar, shumica prej tyre në Kinë.