Konjufca propozon tërheqjen e shtatë ambasadorëve dhe konsujve

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve.

Siç ka njoftuar Konjufca, personat e propozuar për tërheqje nga misionet diplomatike janë: Vlora Çitaku (Uashington), Edon Cana (Sofje), Lirim Grejçevci (Hagë), Shpend Kallaba (Budapest), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Podgoricë) dhe Ramadan Avdiu (konsull në Gjenevë).

“Që në fillim të mandatit jam zotuar për vendosjen e rregullit dhe ligjit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politikë që e kanë përfunduar mandatin 4-vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca në një postim në Facebook, ku ka njoftuar për vendimi e tij.

Më 20 shkurt, ministri Konjufca ka shkarkuar 14 persona që ishin angazhuar si konsuj nëpër ambasada e konsullata të ndryshme të Kosovës në botë.

Reagon zyra e presidentit Thaçi

Pas kërkesës së ministrit Konjufca, ka reaguar Presidenca e Kosovës.

Përmes një deklarate dërguar mediave, thuhet se deri më tani, kjo zyrë, nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë propozim për tërheqje ambasadorësh.

“Por, emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve është e drejtë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës së Kosovës. Nëse këto propozime vijnë zyrtarisht nga ana e Qeverisë, presidenti gjithsesi që i shqyrton”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentit.

Çfarë thotë Kushtetuta dhe ligji

Në bazë të nenit 93 të Kushtetutës së Kosovës, qeveria i “propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës”.

Ndërkaq, në paragrafin e 25 të nenit 84 të Kushtetutës, presidenti i vendit “emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”.

Mirëpo, në këtë rast, ministri Konjufca është thirrur edhe në ligjin për ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës.

Në nenin 7 paragrafi 7.8 të këtij ligji thuhet “të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”.

Çitaku: Do ta respektoj kërkesën e Qeverisë

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, megjithë faktin se vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës”.

“Mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar. Megjithatë, besoj se e kam merituar një konsultim paraprak lidhur me propozimin në fjalë. Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”, ka shkruar Çitaku.