Një dokument i siguruar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë në ministrinë e Jashtme serbe thuhet se Qeveria e Siera Leone ka vendosur të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në dokumentin në të cilin, megjithatë, nuk ka ndonjë nënshkrim, thuhet se Qeveria e Siera Leones po shikon me shqetësim bllokimin në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
"Qeveria e Siera Leone-s e ka konsideruar qëndrimin që çfarë do njohje që ka ndodhur në lidhje me pavarësinë e Kosovës ishte e parakohshme, duke pasur parasysh dialogun në vazhdim", thuhet në dokument.
"Qeveria e Siera Leone ka vendosur të tërheqë çdo njohje të tillë të pavarësisë së Kosovës ndërsa pret një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët", thuhet në dokument.
Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se kush është nënshkruesi i dokumentit, ministria e Jashtme tha se bëhet fjalë për një “notë e cila nuk nënshkruhet”.
Në njoftimin nga takimi mes ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq dhe ministres së Siera Leones, Nabeela Tunis, që është postuar në faqen e internetit të Siera Leone, thuhet se takimi ishte përqendruar në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, pa e përmendur Kosovën.
Të martën, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Siera Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet të pavarur.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ende nuk ka informacione zyrtare, lidhur me pretendimet e Serbisë se Siera Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.