Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se presidenti Hashim Thaçi është dashur të koordinohet, dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës, para se të shkojë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Thaçi është takuar të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri Kurti, i cili ditë më parë, e ka ftuar presidentin në takim për të koordinuar hapat në politikën e Jashtme , tha se “është gabim dhe dëm që nuk ka ardhur (presidenti Thaçi) në institucionet tona, para se të provojë të bëjë dakordime me presidentin e Serbisë”.
“Mora vesh që po kthehet presidenti nga Shtetet e Bashkuara, pa një deklarim të përbashkët me Vuçiqin. Fakti që nuk kanë një marrëveshje - presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë - besoj se është një dështim i dobishëm për Republikën e Kosovës”, deklaroi Kurti, pasi mori pjesë në një punëtori të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës.
Të hënën, pas takimit me presidentin Vuçiq në Uashington, presidenti Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë se në takim është diskutuar për "domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi" dhe për "mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare".
"Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë. Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve", tha Thaçi.
Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O'Brien.
Thaçi dhe Vuçiq kanë qenë në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara, gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin veprime, që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.