Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se është i gatshëm ta ndihmojë Iranin të përballet me koronavirusin e ri.
“Nëse ne mund të ndihmojmë iranianët për këtë çështje, ne do ta bëjmë... Gjithçka që duhet të bëjnë ata është që të kërkojnë ndihmën tonë”, tha Trump.
“Ne mund të dërgojmë profesionist atje”, shtoi Trump, teksa Irani është shndërruar në shtetin më të prekur në Lindjen e Mesme nga koronavirusi i ri.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin që prej vitit 1980. Megjithatë, Uashingtoni, zyrtarisht e ka njoftuar Teheranin se mund ta ndihmojë për ta përballuar këtë krizë. Ky mesazh është dërguar përmes Zvicrës, shtet ky që prezanton interesat e SHBA-së në Iran.
Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit tha më 29 shkurt se nëntë persona vdiqën në 24 orët e fundit nga koronavirusi i emëruar COVID-19, duke bërë që numri i përgjithshëm i vdekjeve në Iran të arrijë në 43.
Shumë kritikë dhe ekspertë janë të shqetësuar se Teherani po fsheh shkallën e vërtetë të përhapjes së koronavirusit.
Koronavirusi deri më tash ka prekur 61 shtet, por Kina – ku fillimisht u shfaq ky virus – vazhdon të jetë vendi më i prrekur.
Virusi ka vrarë 2,870 persona dhe mbi 79,000 janë të infektuar në Kinë.
Në nivel botëror, mbi 86,000 raste janë shënuar dhe mbi 100 vdekje.