Kurti: Anëtarësimi në BE mbetet prioritet i qeverisë

Foto nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.

Kabineti qeveritar i Kosovës është mbledhur sot në Prevallë për të diskutuar programin qeverisës 2020-2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj mbledhjeje është shprehur se dialogu me Serbinë do të jetë "parimor dhe mirë i pëgatitur", ndërsa anëarësimi në Bashkimin Evropian do të jetë pritoritet i qeverisë.

“Anëtarësimi në BE mbetet prioritet kurse dialogu me Serbinë të jetë mirë i përgatitur e parimor, për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”, është shprehur Kurti.

Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se qeveria do të planifikojë dhe analizojë para se të marrë vendime.

“Do të kemi një qeveri e cila planifikon dhe analizon para se të ekzekutojë vendime e të realizojë punime, e cila promovon sundimin e ligjit, që redukton shpenzimet financiare, përmirëson menaxhimin e financave publike dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike, që modernizon administratën publike dhe rritë transparencën e llogaridhënien”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministri i dytë i Kosovës, Haki Abazi, më herët deklaroi për mediat se në këtë takim marrëveshja e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po kthehet në program qeverisës.

"Është një ditë pune e cila ka kthyer marrëveshjen e koalicionit në program qeverisës. Në pjesën e parë të ditës dëgjuam ministrat për procesin e skanimit apo vlerësimit të gjendjes që kanë marrë ministrisë dhe të fuzionit të ministrive përbrenda strukturës apo arkitekturës së re qeverisëse e cila është bërë me vendimin e Kuvendit të Kosovë", tha Abazi.

Ai shtoi se më vonë gjatë ditës, ministrat e Qeverisë së Kosovës do të paraqesin prioritetet e tyre për dikasteret që drejtojnë.

Ndërkaq i pyetur se nëse në këtë takim kabineti qeverisës do të diskutojë për taksën 100 për qind, ai tha se kjo temë nuk është në agjendë.

"Absolutisht nuk ka asnjë gjë tjetër që është duke u diskutuar përveç se kthimi i marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës dhe zbërthimi i saj në plan veprues dhe në detyra dhe prioritete konkrete. Ky është karakteri i këtij takimi", tha Abazi.

Para nisjes së takimit, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka thënë se programi i koalicionit qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, do të reflektojë marrëveshjen e koalicionit ndërmjet këtyre dy partive, të arritur më 2 shkurt.

“Në këtë program reflektohet plotësisht marrëveshja e koalicionit, ku janë të specifikuara masat që do të ndërmarrim për të rritur punësimin, për kujdesin social gjithëpërfshirës, për arsim e shëndetësi cilësore, rend e ligj për të gjithë, mbështetje për bujqësinë, diplomaci të fortë, kujdes për mërgatën tonë e çështje të tjera”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt. Kjo qeveri ka 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe pritet të ketë rreth 33 zëvendësministra.