Bashkimi Evropian ka përsëritur se mirëpret paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për heqjen hap pas hapi të taksës për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si “hap të parë” në drejtim të duhur, drejt krijimit të kushteve për vazhdimin e dialogut që do të ishte në të mirë të qytetarëve edhe në Kosovë edhe në Serbi.
Të përballur me pyetjet se a ka koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pse ka pasur dallime në qëndrime ndaj këtij paralajmërimi, Petar Stano, zëdhënës në BE për çështjet e politikës së jashtme, ka thënë se “sipas vendimeve ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë për politikë të jashtme dhe siguri janë të vetmit lehtësues të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit”.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja me qëndrime të ndryshme rreth masave të KurtitBashkimi Evropian insiston që të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut i cili është i bllokuar dhe shprehin edhe një herë gatishmërinë e përfaqësuesit të lartë Josep Borrel që të angazhohet në këtë drejtim.
Lidhur me këtë përmendet edhe qëllimi i tij për të emëruar një përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për detyra tjera në rajonin e Ballkanit Perendimor.
Ndonëse në BE insistojnë se procedura është në vazhdim e sipër, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Verhelyi ka pranuar në bisedë me Radion Evropa e Lirë, me apo pa qëllim, se këtë post do ta ketë ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Zëdhënësi Petar Stano tha se, përderisa procedura vazhdon tek shtetet anëtare, sipas propozimit të Përfaqësuesit të lartë Josep Borrel, nuk mund të konfirmohet se kush është emëruar.
Diplomatët në BE janë shprehur se Borrel i ka sjellur para aktit të kryer dhe ka përgatitur terrenin që këtë detyrë t'ia besoj Lajçakut para se të konsultohej me shtetet anëtare dhe konsultimet i ka nisur më vonë, pas takimit të fundit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë-Serbi nën llupën e SHBA-së dhe BE-sëKa ende dilema në BE edhe lidhur me mandatin e Përfaqësuesit të ardhshëm të posaçëm. Nuk është sqaruar a do të jetë ai i angazhuar vetëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë apo edhe më gjerë për Ballkanin Perendimor. Edhe në rajon ka shqetësime rreth kësaj pasi BE-ja zakonisht emëron Përfaqësues të posaçëm për zonat apo shtetet jostabile.
Zëdhënësi Petar Stano ka thënë se ideja është që detyrë parimore e Përfaqësuesit të Lartë të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të përçuar mesazhet e BE-së më gjerë në rajon.