Shefi i inteligjencës në Australi tha se siguria e këtij vendi "kërcënohet vërtet" nga neo-nazistët.
Drejtori i përgjithshëm i agjencisë ASIO, Mike Burges, tha se "qeliza të vogla" të ekstremistëve të djathtë takohen rregullisht për të nderuar flamujt nazistë dhe për të shkëmbyer ideologjitë e tyre.
Ai tha se kërcënimi nga spiunazhi i huaj është gjithashtu më i madh sesa gjatë Luftës së Ftohtë.
"Niveli i kërcënimit nga spiunazhi i huaj dhe nga aktivitetet e ndërhyrjes aktualisht është i paparë", tha ai.
Burges po ashtu zbuloi se një "agjent i huaj" është aktivizuar në Australi dhe se ka kryer spiunazh për disa vite.
"Pas një periudhe të gjatë të fjetjes, agjenti ka filluar të spiunojë dhe të shkaktojë probleme për disidentët, përpara se të kapej", tha Burgess.
Ai nuk e specifikoi se nga cili vend vjen ky agjent.
Komentet e tij të rralla publike vijnë pavarësisht një pakete të gjerë ligjesh, që është miratuar në vitin 2018 në Australi, për të parandaluar ndërhyrjet e huaja.