Presidenti Thaçi udhëton për në SHBA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të dielën është nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zhvilluar takime me zyrtarë të administratës së presidentit Trump, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Vizita e tij, siç thuhet, po zhvillohet në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë vëmendjen e plotë ndaj zhvillimeve në Kosovë drejtë marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Para nisjes, Thaçi ka thënë se “Kosova është me fat që SHBA ruan përkushimin për Kosovën, paqen dhe stabilitetin e tërë rajonit”.

“Lidershipi i Presidentit Trump, përkrahja e Sekretarit Pompei dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të Dërguarit Special, ambasadorit Grenell, janë inkurajim për ne”, ka thënë Thaçi.

Në tetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump ka emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e tij, Kosova dhe Serbia gjatë javëve të fundit, kanë arritur dy marrëveshje: atë për hekurudhat dhe linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës, por Kosova përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar vazhdon ta mbajë në fuqi këtë masë.