Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se është i tronditur me lajmin e mësuar nga drejtuesit e Klubit Futbollistik “Flamurtari”, se prindërit e futbollistit të ri të këtij klubi, Ilija Iviq, janë përjashtuar nga puna.
Komiteti pretendon se nëna e futbollistit Iviq që ka punuar shërbyese civile në Komunën e Graçanicës, dhe babai i tij - punëtor i arsimi, janë përjashtuar nga puna për shkak se djali i tyre ka pranuar të luajë për Kombëtaren U19 të Kosovës.
“KE i FFK-së e dënon ashpër këtë akt qyqar të ndërmarrë nga drejtues të institucioneve që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Kosovës, por edhe të atyre të sistemit paralel serb, e që për qëllim kanë futjen e frikës tek bashkëqytetarët tanë serb, të cilët e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e saj edhe në futboll”, thuhet në komunikatë.
Ilija Iviq është futbollisti i parë nga komuniteti serb, që ka pranuar të luajë për ekipet e Kosovës.
Në një intervistë për mediat e Kosovës, ai ka thënë se ka qenë pjesë e ekipit “Flamurtari” për tri vite dhe se është pritur shumë mirë nga të gjithë.
Federata e Futbollit të Kosovës duke komentuar angazhimin e futbollistit serb klubin kosovar thotë se “asnjëherë nuk i shikon futbollistët në baza kombësie, racore, përkatësie etnike apo fetare, por gjithmonë do të jetë e përkushtuar që t’i ftojë në kombëtaret e saj zinxhir futbollistët më meritorë”.
FFK-ja kërkon nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por edhe nga Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore "që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese".