Ministrja Haxhiu anulon provimin për noterë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, anuloi procesin e noterisë të mbajtur në prill të vitit të kaluar, nga ana e qeverisë që në atë kohë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se procesi nuk ishte ligjor, transparent dhe objektiv.

"Për këtë arsye, unë, si ministre e Drejtësisë, nuk mund të vazhdoj një proces që ka pasur parregullsi dhe ka humbur besimin. Nuk mund të vazhdoj me procesin ku shumica e kandidatëve që kanë kaluar provimin janë militantë të partisë, anëtarë ose miq të anëtarëve të Komisionit të Noterëve, ose anëtarëve të familjeve të tyre", tha ajo, duke shtuar se ky proces tashmë është duke u hëtuar nga Prokuroria.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ndaj të njëjtit proces në tetor të vitit 2019, duke i bërë thirrje qeverisë në largim që të përmbahet nga emërimi i ndonjë noteri publik, dhe procesi t'i lihet qeverisë së re.

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë mandatit të së cilit është realizuar procesi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur veprimin e ministres Haxhiu si arbitrar dhe i cili “do të prodhojë pasoja juridike e administrative sepse paraqet shkelje flagrante të të drejtave të fituara nga qytetarët e Kosovës”.

“Prandaj, mbi këtë bazë, unë do ta mbroj këtë çështje në Gjykatë, në konflikt administrativ dhe do kërkoj njohjen e provimit të noterisë për të gjithë kandidatët që kanë kaluar provimin”, ka thënë ish-ministri Tahiri.

Ministrja Haxhiu sqaroi se një konkurs i ri do të shpallet më vonë.

Ajo njoftoi se ka anuluar edhe vendimin për emërimin e Komisionit për Përzgjedhjen e Noterëve, si dhe të anëtarëve të Komisionit të Provimit të Noterisë.