Turqia dhe Rusia me kërcënime të ndërsjella për situatën në Siri

Foto arkiv - Idlib

Turqia dhe Rusia shkëmbyen paralajmërime ndaj njëra tjetrës lidhur me luftimet në Idlib të Sirisë.

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, kërcënoi se forcat turke do të ndërmarrin një operacion "të menjëhershëm" në Siri, për t'i dhënë fund sulmit brutal të regjimit sirian, ndaj bastionit të fundit që mbahet nën kontroll nga rebelët anti-qeveritar.

Erdogan tha se bisedimet me Moskën - gjatë dy javëve të fundit - nuk kishin arritur "rezultatin e dëshiruar" dhe paralajmëroi se Turqia do të niste një ofensivë në Siri nëse Damasku nuk tërhiqte forcat e tij deri në fund të muajit.

Kremlini iu përgjigj shpejt kërcënimit të Erdoganit, duke paralajmëruar se çdo operacion kundër forcave siriane do të ishte "skenari më i keq", raporton AFP.

Turqia mbështet rebelët që luftojnë kundër forcave të presidentit Bashar al-Asad, i cili gëzon përkrahjen e Rusisë dhe Iranit.

Organizatat humanitare kanë bërë thirrje për një armëpushim urgjent dhe një ndihmë ndërkombëtare, për gati një milion njerëz, që po ikin nga sulmi i forcave qeveritare në provincën veri-perëndimore të Idlibit.

Në fillim të kësaj jave, Kombet e Bashkuara thanë se të shpërngulurit ishin kryesisht gra dhe fëmijë dhe paralajmëruan që foshnjat po vdisnin nga të ftohtit sepse kampet janë të mbipopulluara.

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut nga ofensiva e forcave qeveritare janë vrarë më shumë se 400 civilë që prej fillimit të muajit dhjetor 2019.