Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Këto deklarata ai i bëri në një postim në rrjetin social Twitter, ku njoftoi se në Mynih të Gjermanisë është takuar me ushtruesin e detyrës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker.
Presidenti Thaçi u shpreh se vetëm përmes dialogut mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Diskutim i mirë me ndihmës-sekretarin, Phil Reeker. E falënderova atë për mbështetjen e SHBA-së që i jep Kosovës dhe konfirmova përkushtimin tonë për arritjen e marrëveshjes finale për njohje nga Serbia. Dialogu është mënyra e vetme që siguron paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Twitter.
Presidenti Thaçi, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Në mesin e burrështetasve që po marrin pjesë në këtë ngjarje është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.