Opozita akuzon qeverinë për falsifikim të draft-ligjit për prokurorinë

Parlamenti i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar fazën e parë të Ligjit për Prokurorinë Publike, por kësaj i kanë paraprirë debate të ashpra pas akuzave të opozitës për “falsifikimin e propozim-ligjit” nga ana e kryeministrit, Oliver Spasovski.

Në fakt, propozimi është tërhequr nga qeveria në orët e vonë të mbrëmjes së ditës së hënë me arsyetimin se është bërë gabim teknik, meqë në vend të tij ishte dërguar në seancën plenare një version i vjetër që shkaktoi reagime të shumta. Opozita kërkon nga institucionet masa të menjëhershme.

“Ky rast do të jetë test që të shohim nëse në Maqedoni funksionojnë institucionet, prokuroria, Gjykata Kushtetuese e institucione tjera pasi kemi të bëjmë me falsifikim të dokumenteve nga ana e kryeministrit Spasovski. Nuk mundet Oliver Spasovski në emrin e tij pa mbledhje të qeverisë, pa vendim, pa procesverbal të sjellë këtu një copë letër që nuk ka asnjë legjitimitet përveç se keqpërdorimit të pozitës së tij dhe të kërkojë tërheqjen e propozimit”, ka deklaruar Antonio Milloshoski në emër të deputetëve të VMRO DPMNE-së opozitare.

SHIKONI EDHE: Kushtëzimi i votës për Ligjin për Prokurorinë Publike me amnisti

Nga qeveria kanë pranuar gabimin, por jo edhe akuzën se bëhet fjalë për falsifikim të dokumentit.

“Këtu nuk kemi asnjë shkelje të ligjit që të ketë ndonjë përgjegjësi. Vërtetë mendoj se u bë dramë e panevojshme. Bëhet fjalë për një gabim teknik dhe asgjë më shumë. Propozimin që tani e kemi është ai që është miratuar në mbledhjen e qeverisë dhe që i përmban të gjitha vërejtjet e grupeve të deputetëve. Kërkojmë që ligji të miratohet me procedurë të përshpejtuar pasi bëhet fjalë për një ligj i cili tani një vit po diskutohet në Kuvend".

"Të gjithë e dimë se qëllimi strategjik i vendit tonë është integrimi euroatlantik i vendit, apo hapja e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Besojmë se ky ligj do të miratohet para shpërbërjes së Kuvendit”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Edhe Bashkimi Demokratik ka kërkuar që të miratohet versioni fillestar i propozimit.

“Ligji i dakorduar nuk është prezantuar në Kuvend. Për BDI-në është i pranueshëm vetëm se ai propozim për të cilin jemi marrë, çdo propozim tjetër është i papranueshëm”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Gabimet në ligjin e dorëzuar e që janë përmirësuar më pas kryesisht kanë qenë të karakterit teknik ndërsa ato kryesoret mbeten për t’u miratuar.

Propozim-ligji për Prokurorinë Publike parashikon që materialet e përgjuara të mos mund më të përdoren si bazë për padi dhe as dëshmi në gjykatë.

Me këtë pritet të përfitojnë zyrtarë të VMRO DPMNE-së, që përfshirë në disa vepra penale që janë iniciuar pas datës 30 qershor. Mbetet e paqartë nëse me këtë propozim do të përfitojnë edhe të akuzuarit në rastin “Reketi”.

SHIKONI EDHE: “Beteja” për 80 votat për miratimin e Ligjit të Prokurorisë Publike

Propozimi parasheh që gjatë emërimit të prokurorëve në prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të bëhet me votim të dyfishtë, pra edhe me votat e pjesëtarëve të bashkësive etnike jomaqedonase.

Mbetet e pandryshuar dispozita që rregullon zgjedhjen e kryeprokurorit publik. Kërkesa e opozitës që kryeprokurori të propozohet nga opozita nuk është bërë pjesë e propozim-ligjit.

VMRO DPMNE-ja ka kundërshtuar propozimin duke e quajtur “përpjekje të pushtetit për të amnistuar zyrtarët e saj” ndërsa kundër është edhe opozita shqiptare e cila tha se nuk do të mbështes asnjë ligj që parasheh amnisti për zyrtarët e përfshirë në krime. Për miratimin e ligjit nevojiten 80 vota apo dy të tretat në Kuvend.