Numri i personave që kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në Kinë ka shkuar në 97 të dielën, duke shënuar shifrën më të lartë të viktimave brenda një dite.
Në Kinë aktualisht është raportuar për 908 persona të vdekur nga ky virus, ndonëse numri i personave të infektuar në baza ditore është duke u stabilizuar.
Në territorin e këtij shteti është thënë se 40,171 persona janë të infektuar, derisa 187,518 gjenden nën vëzhgim mjekësor.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar ekipe të ekspertëve në Pekin për të ndihmuar në hulumtimin e virusit të ri.
Sipas të dhënave kineze, 3,281 pacientë janë shëruar dhe janë liruar më pas nga spitali.
Të hënën, miliona persona janë kthyer në vendet e punës pas pushimit për Vitin e Ri Hënor.
Përgjatë fundjavës, numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri ka tejkaluar shifrën e viktimave nga epidemia e Sars-it më 2003, virus që po ashtu është shpërndarë fillimisht në Kinë, dhe pati lënë 774 persona të vdekur në gjithë botën.
Koronavirusi i ri është raportuar fillimisht në Vuhan, kryeqytet i provincës Hubei.
Ky qytet me 11 milionë banorë është izoluar tashmë për javë të tëra.
Zemërim e hidhërim pas vdekjes së mjekut që paralajmëroi koronavirusin e ri
Shpërndarja e këtij virusi është shpallur emergjencë globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 30 janar.
Deri më tani virusi është shpërndarë në të paktën 27 shtete të botës, derisa është raportuar për dy persona të vdekur jashtë Kinës, një në Hong Kong dhe një tjetër person në Filipine.
Koronavirusi i ri përcillet me temperaturë dhe kollë, që mund të rezultojë me pneumoni.