Thaçi: Me ndërmjetësimin e SHBA-së, dialogu do të përmbyllet me njohje reciproke

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan Richard Grenell

Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet se shpejti me njohje reciproke, falë punës së shkëlqyeshme të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook të dielën.

Thaçi tha se epilogu i procesit të dialogut është skicuar, duke iu referuar letrave të presidentit Trump, kohë më parë, drejtuar presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell jam besimplotë se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe shtetin e Kosovës”, thuhet në postimin e tij.

Ndryshe, gjatë vizitës së tij në Kosovë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet dhe çështjet e hapura në bisedimet Kosovë – Serbi.

Vizita e tij ndodhi në kohën kur u arrit marrëveshja e funksionalizimit të linjës ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësim të ambasadorit Grenell dhe ambasadorin Robert O'Brien, këshilltar i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan Donald Trump, e kishte quajtur fitore të madhe arritjen e marrëveshjes për fluturimet direkte në mes të dy vendeve.

Lexoni edhe këtë: Dialogu Kosovë-Serbi nën llupën e SHBA-së dhe BE-së

Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Beogradi kushtëzon pjesëmarrjen në bisedime me heqjen e kësaj takse.