Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përshëndeti zgjedhjen e qeverisë së re në Kosovë, duke thënë se mezi pret të intensifikojë diskutimet dhe bashkëpunimin midis BE-së dhe Kosovës.
Ai përsëriti detyrimin që kanë palët për dialogun e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës-Serbisë, duke nënvizuar nevojën e vazhdimit sa më të shpejtë të këtij procesi.
"Status-quoja aktuale është e padurueshme. Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", paralajmëroi Joseph Borrell përmes një deklarate.
Në këtë drejtim, ai ka kërkuar fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe një angazhim të Kosovës në iniciativat rajonale, të cilat, sipas tij janë në dobi të Kosovës.
Sfidat me të cilat përballet Kosova, sipas Borrell, "janë të rëndësishme” por në të njëjtën kohë domethënës është edhe "potenciali i saj".
"Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën sa i përket agjendës evropiane të reformave si dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike dhe krijimin e vendeve të punës", tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Kuvendi I Kosovës, më 3 shkurt ka votuar qeverinë e re, me kryeministër Albin Kurtin.
Gjatë prezantimit të ekspozesë së tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti theksoi se një ndër prioritetet e tij do të jetë edhe procesi i integrimit evropian.