Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme. Ajo ka pasuar në këtë pozitë Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit më 26 dhjetor, 2019.
Bazuar në marrëveshjen për koalicion qeverisës të arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Konjufca ka kaluar në pozitën e ministrit të Jashtëm të Kosovës, derisa Osmani ka marrë pozitën e kryetares së Kuvendit.
Në seancën për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Osmani u zgjodh në këtë pozitë, vetëm një orë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi formimin e qeverisë së re të Kosovës, me Albin Kurtin kryeministër.
Osmani ishte nominuar nga partia e saj si kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, të mbajtura vitin e kaluar.