Ambasadori rus: Pa Rusinë dhe Këshillin e Sigurimit, s'ka marrëveshje Kosovë-Serbi

Ambasadori rus, Alexander Botsan Harchenko, në takim me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq - foto arkivi.

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan Harchenko, tha se Rusia do të përfshihet në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, nëse merr një ftesë të tillë nga Beogardi.

Pa Rusinë dhe pa miratim nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, marrëveshja midis dy vendeve nuk vjen në shprehje, tha Harchenko për mediat në Beograd.

Ai tha se Rusia gjithmonë ka qenë në favor të bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, por shtoi se atë e shqetëson dëshira për zgjidhje të shpejtë.

Harchenko tha se nuk janë të sakta kritikat se Rusia nuk do zgjidhje dhe se përmes Serbisë dëshiron të ruajë ndikimin në rajon.

"Interes i Rusisë gjithmonë ka qenë vazhdimi, në këtë rast rifillimi i bisedimeve", tha Harchenko, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës, por Kosova, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëar, vazhdon ta mbajë në fuqi këtë masë.

Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë emëruar të dërguarit e tyre të posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky proces, që ka nisur në vitin 2011, është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka pasur mbështetjen e SHBA-së.