Sulmi ajror i Iranit la me dëmtime traumatike në tru 34 ushtarë amerikanë

Trupat amerikane në Irak - ilustrim

Së paku 34 trupa amerikane janë diagnostikuar me pasoja traumatike në tru pas një sulmi nga iranianët në bazën e tyre në Irak, ka bërë të ditur Pentagoni.

Së paku 17 ushtarë janë ende nën mbikëqyrje mjekësore, deklaruan autoritetet. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më herët kishte thënë se asnjë anëtar i trupave amerikane nuk ishte lënduar nga sulmi i 8 janarit që erdhi pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani nga SHBA-ja.

I pyetur për zhvillimet e fundit, gjatë Forumit Botëror Ekonomik në Davos, Trump u përgjigj “Kam dëgjuar se kanë disa kokëdhembje, por mund të them se nuk është aq serioze”.

"Nuk i konsideroj si pasoja serioze duke u bazuar në ato se cfarë kam parë më herët”, shtoi ai.

Pentagoni kishte deklaruar se asnjë ushtar nuk ishte vrarë gjatë sulmit ajror të Iranit në bazën Ain al-Asad.

Zëdhënësi i Departmentit të Mbrojtjes, Jonathan Hoffman, u tha gazetarëve të premten se tetë nga të prekurit ishin dërguar në SHBA për trajtim të plotë derisa nëntë tjerë janë duke u trajtuar në Gjermani.