Protesta në Irak kundër pranisë amerikane

Bagdad,

Mijëra irakianë u mblodhën të premten në dy lokacione të Bagdadit për të protestuar kundër pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak.

Protestat i thirri kleriku shiit, Moqtada al-Sadr, i cili së voni ka shprehur aleancë me Iranin.

Një protestë u zhvillua në Sheshin Al-Hurriya, ndërsa tjetra pranë Universitetit të Bagdadit.

Rrugët kryesore në Bagdad u barrikaduan nga forcat e sigurisë, ashtu si edhe Zona e Gjelbër e qytetit, ku ndodhen misionet e huaja.

Më 5 janar, Parlamenti i Irakut miratoi një rezolutë që bën thirrje për largimin e trupave të huaja nga ky vend.

Rezoluta u miratua dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara vranë komandantin ushtarak të Iranit, Qasem Soleimani, me një sulm me dron pranë Bagdadit.

Megjithatë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij irakian, Barham Salih, u pajtuan gjatë një takimi në Davos të Zvicrës, më 22 janar, për nevojën e pranisë ushtarake të SHBA-së në Irak.

Më shumë në këtë temë: