Vuçiq paralajmëron marrëveshje për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd

Ambasadori amerikan, Richard Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës.

Pas takimit me të dërguarin presidencial të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin, Richard Grenell, Vuçiq tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të linjës ajrore, Prishtinë-Beograd, e cila u arrit në fillim të kësaj jave me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.

“Bisedova për lidhjen e mëtejshme infrastrukturore midis Prishtinës dhe Beogradit. Kemi biseduar edhe për vendosjen e linjes hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Lidhur me këtë, deklarova që është e rëndësisë së madhe që taksa të hiqet sepse do të ishte e pakuptimtë të kemi qarkullim hekurudhor pa mallra”, tha Vuçiq.

Ambasadori Grenell po e viziton Beogradin pas qëndrimit të Prishtinë ku kërkoi nga autoritetet e Kosovës të heqin taksën ndaj mallrave serbe ndërkaq nga Beogradi të mos vazhdojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Të njëjtën kërkesë ai e përsëriti edhe në Beograd, derisa ftoi të dyja palët të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Unë jam këtu për të shtyrë të dy palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha Grenell.

Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ambasadori Grenell tha më 23 janar në Beograd se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjes.

“Po ndjej një energji të mirë nga të dy anët (Kosovë e Serbi), por presidenti Donald Trump nuk do të me lejojë të punojë gjatë në këtë çështje nëse nuk ka ndonjë përparim”, ka thënë mes tjerash Grenell.