Qëndrimet e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth Ligjit për liritë fetare në Mal të Zi mbeten shumë të kundërta, tha kabineti i Gjukanoviqit, pas bisedës që ky i fundit zhvilloi me Vuçiqin.
"Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se nuk duhet t'i vazhdojmë diskutimet për këtë temë, si dhe për të gjitha çështjet e tjera që janë të rëndësishme për marrëdhëniet reciproke", tha kabineti i presidentit malazez.
Dy udhëheqësit u takuan në Jerusalem, ku morën pjesë në një ceremoni me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic.
Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar Ligjin për liritë fetare në fund të dhjetorit.
Ligji i ka rritur tensionet pasi në bazë të tij, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë pronësinë mbi pasurinë para vitit 1918 - në të kundërtën, asetet do të konsiderohen pronë e shtetit.
Kisha Ortodokse Serbe, mbështetësit e saj dhe opozita pro-serbe e Malit të Zi druajnë se ligji i ri do t'i mundësojë Qeverisë malazeze të konfiskojë pronën e Kishës, edhe pse autoritetet e mohojnë një synim të tillë.
Protesta kundër ligjit ka pothuajse çdo ditë në Mal të Zi, ndërsa të tilla ka pasur edhe në Serbi.
Vuçiq tha të enjten se është pajtuar me Gjukanoviqin që t'i vazhdojnë bisedimet për këtë çështje.
"Biseduam gjatë për pozitën e popullit serb dhe për Ligjin e lirive fetare në Mal të Zi. Qëndrimet tona mbeten shumë të largëta për këtë çështje", tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Të mërkurën, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Serbisë janë në nivelin më të keq të mundshëm që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi, më 2006.
Më shumë në këtë temë: