Rritet numri i të vdekurve nga virusi i ri në Kinë

Ilustrim.

Ka arritur në 17-të numri i të vdekurve nga virusi i ri që është paraqitur në Kinë.

Deri më tani, janë konfirmuar 550 raste të personave që janë infektuar me këtë virus.

Virusi është shpërndarë nga qyteti Vuhan në disa provinca tjera kineze, ashtu sikurse në Shtetet e Bashkuara, Tajlandë dhe Korenë Jugore.

Kina e ka pranuar se virusi ka filluar të shpërndahet nga njeriu në njeri, pasi më parë mendohej ai mund të transmetohej vetëm nga kafshët te njeriu.

Virusi që tashmë njihet si 2019-nCoV, është një lloj i ri i koronavirusit, që nuk është identifikuar më parë te njerëzit.

Simptomat e këtij virusi janë probleme me frymëmarrje, koll dhe ethe.

Ndërkohë, në Gjenevë, një komitet i urgjencës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po diskuton rreziqet globale të paraqitura nga virusi, për të vendosur nëse ai duhet të shpallet një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik – siç është vepruar me gripin e derrit dhe sëmundjen e Ebolës.

Autoritetet në shumë vende, përfshirë Australinë, Singaporin, Hong Kongun, Tajvanin, SHBA-në, Rusinë dhe Japoninë kanë rritur kontrollin e pasagjerëve që udhëtojnë nga qyteti kinez Vuhan.