Trump: Do të preferoja një gjykim me dëshmitarë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i takon Senatit të vendosë se si do të zhvillohet gjyqi kundër tij.

Megjithatë ai tha se do të preferonte një gjykim të gjatë - me dëshmitarë - por që ekzistojnë disa çështje të sigurisë kombëtare.

Në Senatin amerikan ka filluar procesi gjyqësor ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, të cilin Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, e akuzoi për abuzim me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.

Senatin e udhëheqin republikanët.

Të dyja partitë kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me procedurat që duhet ndjekur gjatë gjykimit të presidentit.

Demokratët kanë kërkuar që në sallë të paraqiten edhe dëshmitarë përderisa republikanët kanë kundërshtuar.

Trump akuzohet se ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër rivalit të tij politik, demokratit, Joe Biden.

Presidenti Trump i ka mohuar akuzat.