Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara thanë se kanë zbuluar prova të reja që lidhen me procedurat për shkarkimin e presidentit Donald Trump.
Ata publikuan disa dokumente që lidhen me akuzat se Trump i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.
Këto dokumente përfshijnë tekst-mesazhe dhe shënime me shkrim të Rudy Giulianit, që është avokat i Trumpit, raporton BBC.
Trump i mohon akuzat, ndërsa hetimet kundër tij i quan "gjueti shtrigash".
Demokratët thanë se do t'i dërgojnë provat e reja - të siguruara nga biznesmeni Lev Parnas - në Senat, së bashku me akuzat formale kundër Trumpit.
Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë sot për dërgimin e akuzave në Senat.
Pasi demokratët e kontrollojnë Dhomën, votimi pritet të jetë pro.
Kur akuzat kalojnë në Senat, ky i fundit mund të nisë me gjykimin e presidentit.
Demokratët, deri më tash, nuk i kanë dërguar akuzat në Senat, pasi Partia Republikane - së cilës i përket edhe presidenti - ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen e dëshmitarëve në gjykim.
Për çfarë akuzohet Trump?
Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.
Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor.
Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor - gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët - Trump do të shkarkohej nga detyra.
Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.
Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.
Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.
Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.