Ambasadori amerikan, William Walker, i cili gjatë vitit 1999 ka shërbyer si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, shprehu kundërshtimin e tij për të gjithë ata që nuk e pranojnë ngjarjen Reçakut, më 15 janar, 1999, si masakër.
Walker po qëndron në Kosovë me rastin e 21-vjetorit të masakrës së Reçakut, ku forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë.
Duke folur në një konferencë në Prishtinë, ai polemizoi nga distanca me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se masakra e Reçakut nuk ishte e vërtetë.
Walker tha se kur i dëgjon deklaratat e Vuçiqit, ato ia rikujtojnë ato të Sllobodan Millosheviqit, i cili, sipas tij, fliste njësoj për Reçakun.
“Unë nuk jam këtu sot të vërtetoj se Reçaku nuk ishte gënjeshtër. Bota e ka kuptuar se Reçaku ka ndodhur, ku dyzet e më shumë fshatarë të një fshati të pambrojtur ishin masakruar. Aty është kryer një krim lufte dhe është kryer nga forcat e sigurisë së Beogradit, nën komandën e Sllobodan Millosheviqit”, tha Walker.
“Njerëzit më pyesnin mua rreth reagimit tim ndaj presidentit serb, Vuçiq, i cili më ka quajtur mua një gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur. Reagimi im ishte se po i dëgjoj fjalët e Sllobodan Millosheviqit edhe një herë. Reçaku ka ndodhur, bota mësoi për të, bota reagoi”, tha Walker.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “krimi në Reçak ka qenë i fabrikuar”, gjë që ka nxitur reagime të ashpra të autoriteteve të Kosovës, të cilat e kanë cilësuar këtë deklaratë si mohim të krimeve të luftës.