Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një përgjigje me shkrim drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi që të mos bëhet presion për emrin e mandatarit për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.
Letra vjen disa ditë pasi presidenti Thaçi, për të evituar, siç është thënë, vonesat rreth formimit të qeverisë së re, i ka kërkuar Kurtit emrin e mandatarit për postin e kryeministrit.
"Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në kuvend".
"Ju lusim që të mos bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë", thuhet në letrën e Kurtit.
Ai theksoi se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në fazën e finalizimit të marrëveshjes dhe se do ta njoftojnë presidentin kur të jenë gati.
Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa LDK-ja pas saj.
Negociata për formimin e koalicionit qeverisës janë zhvilluar që nga certifikimi i rezultateve, por ende pa marrëveshje.
Ambasadat e vendeve perëndimore në Kosovë në vazhdimësi kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve të reja.
Lexoni edhe këtë: