Irani ka angazhuar forcat e sigurisë në Teheran pas rritjes së pakënaqësisë në vend si pasojë e rrëzimit të avionit ukrainas, për të cilin autoritetet iraniane thanë se e kanë bërë gabimisht në një kohë të rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Një pankartë e madhe është vendosur nga qytetarët në Teheran, me emrat e 176 viktimave nga rrëzimi i avionit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për protestuesit “e guximshëm” të Iranit, të cilët dolën në rrugët e Teheranit për të shfaqur pakënaqësinë.
Trump parlajmëroi qeverinë se “bota po i shikon”.
Avioni i tipit Boeing 737-800 që u rrëzua më 8 janar i përkiste kompanisë ukrainase Ukraine International Airlines (UIA). Ai ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khmoeini në Teheran.
Në bord ishin 63 kanadezë, 82 iranianë, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë, tre britanikë, 11 ukrainas, përfshirë nëntë anëtarë të ekuipazhit.
Your browser doesn’t support HTML5
Autoritetet iraniane fillimisht deklaruan se një problem teknik ka qenë shkaktar i rrëzimit të avionit, por pas akuzave dhe insistimit të liderëve perëndimorë, të shtunën Garda Revolucionare e Iranit pranoi se gabimisht e kishte bërë këtë veprim.
Rrëzimi i aeroplanit ndodhi disa orë pasi Irani sulmoi me 23 raketa në bazat irakiane që strehojnë trupat e SHBA-së, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani nga ana e SHBA-së.
Iranianët kanë shprehur dëshpërim dhe pakënaqësi të shtunën duke ndezur qirinj në Teheran dhe duke bërë thirrje për dorëheqje të menjëhershme të përgjegjësve dhe qeverise.
Autoritetet arrestuan ambasadorin britanik në Iran, Rob Macaire, i cili ishte bashkangjitur në ceremoninë e ndezjes së qirinjve.
Ai tha se nuk kishte njohuri se do të vazhdohej me protestë dhe se u arrestua 30 minuta pasi u largua nga zona.
Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit ukrainas Volodomyr Zelenskiy , i cili tha të shtunën se pret pranim të plotë të fajësisë dhe kompensim nga Irani.
"Ne presim që Irani të garantojë gatishmërinë për hetime të plota, për të vënë para drejtësisë fajtorët, të kthejë trupat e pajetë dhe të paguaj dëmshpërblimin, si dhe kërkimfalje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, shtoi ai.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka reaguar pas njoftimit të Iranit se avioni ukrainas është rrëzuar gabmimisht nga një sulm ajror, duke kërkuar hetim të plotë dhe bashkëpunim nga autoritetet iraniane.
Irani ka premtuar se do të vë para drejtësisë ata që kanë kryer sulmin.
Presidenti iranian Hassan Rohani, e quajti incidentin “tragjedi të madhe dhe gabim të pafalshëm”.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha përmes një postimi në Twitter se ky ishte një “gabim njerëzor i shkaktuar nga aventurat e Shteteve të Bashkuara që çuan në tragjedi”.
Uashingtoni dhe Teherani kanë rritur tensionet prej kur SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.