Presidentja e KE-së: Periudhë e rëndësishme për raportet BE-Ballkan

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von del Leyen, tha se muajt e ardhshëm janë të rëndësishëm sa i përket raporteve të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Muajt e ardhshëm janë veçanërisht të rëndësishëm për marrëdhëniet tona me Ballkanin. Kroacia është një mbështetëse e madhe e kësaj çështjeje", tha presidentja e KE-së.

Ajo i bëri komentet në Zagreb të Kroacisë, gjatë një konferencë për media së bashku me kryeministrin Andrej Plenkoviq.

Presidentja e Komisionit Evropian u zotua për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

"Këto vende kanë përmbushur kriteret dhe ne duhet të përmbushim premtimin tonë", tha ajo, duke shtuar se BE-ja nuk duhet të ndryshojë kushtet për këto vende, por vetëm të përmirësojë metodologjinë e negociatave.

Franca dhe Holanda kanë penguar nisjen e bisedimeve për këto dy vende vitin e kaluar, duke nxitur zhgënjim dhe shqetësim për shkak të mundësisë së rritjes të ndikimit rus dhe atij kinez në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti francez, Emmanual Macron, ka thënë këtë javë se ai dëshiron që samiti BE-Ballkan, që është caktuar të mbahet në muajin maj, “të jetë moment i unitetit” për Evropën.

Më 1 janar të këtij viti, Kroacia mori në udhëheqje presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Kjo pozitë funksionon në bazë të rotacionit, çdo gjashtë muaj, mes vendeve anëtare të BE-së.