Thaçi i kërkon Vetëvendosjes emrin e mandatarit për kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke i kërkuar atij emrin e mandatarit të Vetëvendosjes për postin e kryeministrit, për të evituar vonesat rreth formimit të qeverisë së re.

Në letrën, të cilën e kanë publikuar mediat në Prishtinë, Thaçi ka kërkuar që të njoftohet nëse Vetëvendosje do të dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre”, ka shkruar Thaçi.

“Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, thuhet në këtë letër.

Aty përmendet edhe Pika 87 e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se “nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

Të hënën, Thaçi ka pritur në një takim Albin Kurtin, ku është diskutuar për mandatarin për kryeministër. Më pas, Thaçi i kishte dhënë një afat prej 48 orëve Vetëvendosjes dhe Kurtit për ta propozuar mandatarin. Por, Vetëvendosje, e cilësoi afatin e Thaçit si joligjor dhe paralajmëroi se do ta dërgonte emrin e mandatarit së shpejti, përmes një letre.

Një veprim të tillë, Vetëvendosje ende nuk e ka ndërmarrë.

Caktimi i mandatarit dhe noniminimi i tij nga presidenti, ka efekte ligjore, pasi që nga ai moment, rrjedh edhe afati kushtetues prej 15 ditëve për formimin e qeverisë së Kosovës, e cila duhet të sigurojë të paktën, 61 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.