Trump: Irani "duket se po tërhiqet" pas sulmeve raketore

Presidenti amerikan, Donald Trump me stafin e tij, në fjalimin drejtuar kombit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se për aq kohë sa ai është president i SHBA-së, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.

Ai ka thënë se asnjë amerikan nuk është plagosur nga sulmet e Iranit në dy baza ushtarake amerikane.

“Forcat tona amerikane janë të përgatitura për gjithçka. Irani duket se po tërhiqet”, ka deklaruar ai.

“Fakti që në kemi ushtri dhe pajisje të mrekullueshme, nuk nënkupton se na duhet t’i përdorim. Ne nuk duam t’i përdorim ato. Fuqia amerikane, si ushtarake ashtu edhe ajo ekonomike janë parandalueset më të mira”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se “fushata e terrorit dhe vrasjeve” të Iranit nuk do të tolerohet.

Çfarë ndodh tash midis Iranit dhe SHBA-së?

Thomas: Konflikti i hapur SHBA-Iran nuk ka gjasa

Për këtë arsye, presidenti amerikan ka thënë se do të vendosë sanksione të reja kundër Iranit për të vazhduar fushatën me presion maksimal kundër këtij shteti.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje fuqive botërore që të nënshkrujanë marrëveshje të re bërthamore me Teheranin.

“Neve na duhet të punojmë së bashku për të arritur marrëveshje me Iranin që e bën botën më të sigurt dhe vend më paqësor”, ka deklaruar ai.

Your browser doesn’t support HTML5

Pamje nga sulmi iranian në bazat ushtarake në Irak

Konferenca e presidentit është zhvilluar pasi Irani ka sulmuar dy bazat amerikane, Irbil dhe Al Asad, në Irak në orët e para të mëngjësit të së mërkurës.

Televizioni shtetëror iranian ka thënë ky sulm është hakmarrje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vrarë komandantin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani një javë më parë.

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei i ka përshkruar sulmet me raketa si “shuplakë në fytyrë” për SHBA-në dhe ka bërë thirrje për dhënie fund të prezencës amerikane në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar Soleimanin, “terrorist”, meqë ai udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.

Miliona iranianë kanë dalë nëpër rrugë për të nderuar komandatin në ceremoninë e tij të varrimit.

Shumë prej tyre janë dëgjuar duke bërtitur “vdekje Amerikës dhe “vdekje Trumpit”.

Si pasojë e turmës së madhe të njerëzve që janë mbledhur në vendlindjen e Soleimanit, Kerman, kanë vdekur 50 persona dhe më shumë se 200 të tjerë janë plagosur.

Marrëdhëniet SHBA-Iran

Raportimet për sulme vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Teheranit prej kur SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati thënë se kjo marrëveshje ka shumë mangësi.

Ky dokument parasheh kufizim të aktivitetit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Mirëpo pas tërheqjes nga pakti bërthamor, SHBA-ja ka nisur fushatë të ashpër me sanksione kundër Iranit, duke i goditur sektorin bankar dhe atë të naftës.

Valutës iraniane i ka rënë vlerë dhe inflacioni ka tejkaluar shifrën 40 për qind.

Përgatiti: Krenare Cubolli