Guterres bën thirrje për përmbajtje maksimale në Lindje të Mesme

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është thellësisht i shqetësuar nga rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme, ku Shtetet e Bashkuara vranë komandantin e lartë iranian, Qasem Soleimani, pas protestave të dhunshme para ambasadës amerikane në Bagdad.

"Ky është një moment në të cilin udhëheqësit duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale. Bota nuk mund të përballojë një luftë tjetër në rajon", tha zëdhënësi i tij, Farhan Haq, në një deklaratë.

Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit është vrarë nga forcat amerikane në Irak.

Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”.

Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar përmes një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara.

Gjenerali Soleimani, 62-vjeçar, është konsideruar figura e dytë më e fuqishme në Iran, pas liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Forcat e tij elite, Quds, i kanë raportuar drejtpërdrejt liderit suprem Khamenei dhe ai është cilësuar si figurë historike kombëtare.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar komandatin dhe forcat e tij si terroristë dhe i ka mbajtur përgjegjës për vdekjet e qindra personave që kanë qenë pjesë e personelit amerikan.

Ambasada amerikane në Bagdad u ka kërkuar të gjithë shtetasve të saj që të largohen menjëherë nga Iraku pas sulmeve ajrore.

"Gjenerali, Qassem Soleimani ka vrarë apo plagosur keq mijëra amerikanë për një periudhë të gjatë kohore dhe ka qenë duke bërë komplot për shumë të tjerë, mirëpo është zënë! Ai qenë drejpërdrejt ose në mënyrë indirekte përgjegjës për vrasjen e miliona njerëzve, duke përfshirë një numër të madh të protestuesve të vrarë në Iran", ka thënë përmes një postimi në Twitter, presidenti amerikan, Donald Trump.