Zoran Zaev dorëhiqet nga posti i kryeministrit

Zoran Zaev

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten deri në mesnatë, duhet të zgjedh qeverinë e re teknike të cilën në 100 ditët e ardhshme, apo deri në zgjedhjet e parakohshme më 12 prill do ta drejtoj, Oliver Spasovski, ministër i deritanishëm i Punëve të Brendshme.

Kryeministri aktual, Zoran Zaev paraprakisht ka deponuar dorëheqjen në Kuvend, ashtu siç parashihet me ligjin për qeverinë, i miratuar në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës, që para çdo cikli zgjedhor duhet të ketë qeveri teknike e cila prioritet kryesore do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Sot kam deponuar dorëheqjen dhe shpresoj se zgjedhja e qeverisë teknike do të rrjedhë në mënyrë normale”, ka deklaruar Zaev.

Në qeverinë teknike merr pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila do të drejtoj ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa do të ketë edhe tre poste të zëvendësministrave.

“Jemi në prag të një sfide të madhe kur do të duhet që në mënyrë bindëse të munden gënjeshtrat, krimi, korrupsioni, turpi, nënçmimi dhe e gjitha ajo që tani tre vite me radhë janë realitet i skenës tonë politike”, ka deklaruar lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, para seancës së Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë teknike.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill u vendosën në takimin e liderëve të partive politike, më 20 tetor.

Ato ishin paralajmëruar nga kryeministri, Zoran Zaev menjëherë pas dështimit për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në samitin e liderëve të BE-së, më 18 tetor të vitit 2019.